
Një hetim i BBC-së pretendon se sulmet me zjarr ndaj pronave të lidhura me kryeministrin britanik Keir Starmer ishin pjesë e një fushate të organizuar nga rrjete të lidhura me Rusinë.
Sipas raportit, 22-vjeçari ukrainas Roman Lavrynovych, i dënuar për komplot për zjarrvënie, ishte rekrutuar përmes aplikacionit Telegram nga një person i identifikuar vetëm me inicialet “EL”. Ky i fundit dyshohet se drejtonte nga distanca një rrjet sabotazhi, propagande dhe provokimesh në territorin britanik.
Hetimi zbulon se “EL” ofronte para, madje edhe mundësinë e marrjes së shtetësisë ruse, për persona që kryenin akte vandalizmi, zjarrvënie apo veprime të tjera destabilizuese. BBC pretendon se pas këtij profili mund të qëndrojë Evgeny Lyukshin, një 23-vjeçar rus me lidhje familjare dhe institucionale me Ministrinë e Jashtme të Rusisë.
Sipas BBC-së, sulmet ndaj pronave të lidhura me Starmer nuk ishin raste të izoluara. Hetimi pretendon se operativë rusë krijuan në internet organizata të rreme të ekstremit të djathtë dhe grupe të rreme islamike, me synimin për të nxitur tensione, urrejtje dhe përçarje në shoqërinë britanike.
Një nga grupet e identifikuara, “Direct Action UK”, promovonte mesazhe anti-muslimane, ofronte pagesa për vandalizim të xhamive dhe publikonte materiale propagandistike kundër qeverisë britanike. Ndërkohë, një tjetër organizatë e rreme, e quajtur “Takbir Foundation”, synonte të nxiste reagime të kundërta duke promovuar grafite dhe mesazhe islamike provokuese.
BBC raporton se pas sulmeve ndaj pronave të lidhura me Starmer u përhapën në rrjetet sociale edhe teori të rreme konspirative, të amplifikuara nga llogari të lidhura me Rusinë. Sipas hetimit, qëllimi ishte krijimi i konfuzionit dhe tensioneve politike në Britani.
Ish-ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, i cituar nga BBC, e cilësoi rastin si një “përshkallëzim të qëllimshëm kundër shtetit britanik”, duke sugjeruar se operacione të tilla nuk mund të kryhen pa miratimin e niveleve të larta të pushtetit në Moskë.
Nga ana tjetër, ambasada ruse në Londër ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se Rusia nuk përbën kërcënim për Britaninë dhe duke hedhur poshtë akuzat e ngritura në raport.
Autoritetet britanike nuk kanë deklaruar zyrtarisht se kanë prova që lidhin drejtpërdrejt shtetin rus me sulmet, megjithatë BBC citon burime që pretendojnë se hetues në Britani dhe Ukrainë kanë arritur privatisht në përfundimin se pas operacionit qëndronte Rusia.






