E ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn, deklaroi se investitorët amerikanë kanë nevojë për siguri, transparencë dhe rregulla të qarta për të investuar në Shqipëri, gjatë prezantimit të Mekanizmit Shqiptar për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte.

Në një kohë kur projektet e investimeve të huaja janë në qendër të debatit publik, VanHorn theksoi se “fusha e lojës duhet të jetë e barabartë” dhe sektorët strategjikë të mbrohen nga aktorë që nuk respektojnë të njëjtat standarde.

“Kompanitë amerikane janë tashmë të pranishme në energji, ndërtim dhe teknologji, ndërsa investitorë të tjerë po presin të vijnë. Por ata kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta dhe se sektorët strategjikë mbeten të sigurt”, u shpreh ajo.

Nga ana e saj, ministrja, Delina Ibrahimaj, tha se mekanizma të tillë ndihmojnë jo vetëm në tërheqjen e investimeve, por edhe në garantimin që në Shqipëri të vijnë investitorë cilësorë dhe afatgjatë.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj, sqaroi se mekanizmi nuk synon kufizimin e investimeve të huaja, por krijimin e një kuadri transparent dhe të sigurt për ekonominë shqiptare.

Sipas autoriteteve, Mekanizmi Shqiptar për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte do të shërbejë si një instrument për mbrojtjen e interesave strategjike kombëtare, duke rritur njëkohësisht besimin e investitorëve ndërkombëtarë në tregun shqiptar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu