Policia e Tiranës ka intensifikuar operacionin për kapjen e Sadik Llanit, të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit A.B. në Kamëz, ndërsa ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët.

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë thekson se i dyshuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se është i armatosur.

Për lokalizimin dhe arrestimin e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Policisë së Tiranës, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.

Policia u bën thirrje qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që, nëse e shohin ose kanë informacion mbi vendndodhjen e Sadik Llanit, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë autoritetet.

Për çdo informacion që çon në lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit, Policia e Tiranës ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh.

Qytetarët mund të kontaktojnë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112. Autoritetet garantojnë ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu