Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se shpërthimi i hantavirusit në bordin e anijes turistike holandeze “MV Hondius” nuk përbën fillimin e një pandemie të re globale.

Epidemiologia e OBSH-së, Maria Van Kerkhove, tha gjatë një konference për shtyp se situata nuk është e ngjashme me pandeminë e Covid-19, pasi hantavirusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe intim mes njerëzve.

Autoritetet shëndetësore po gjurmojnë dhjetëra persona që kanë zbritur nga anija gjatë ditëve të fundit. Deri tani janë konfirmuar pesë raste me hantavirus nga tetë raste të dyshuara, ndërsa tre persona kanë humbur jetën, mes tyre një grua 69-vjeçare nga Holanda.

OBSH bëri të ditur se për herë të parë është dokumentuar transmetimi i virusit nga njeriu te njeriu. Normalisht hantavirusi transmetohet nga brejtësit.

Anija turistike, e operuar nga kompania Oceanwide Expeditions, nisi udhëtimin më 1 prill nga Ushuaia në Argjentinë dhe pritet të mbërrijë në Ishujt Kanarie të Spanjës. Në bord ndodheshin rreth 150 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi nga 28 vende.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, tha se rreziku për shëndetin publik vlerësohet aktualisht si i ulët, megjithëse periudha e inkubacionit mund të zgjasë deri në gjashtë javë dhe mund të raportohen raste të tjera në ditët në vijim.

Ndërkohë, disa shtete, përfshirë Britaninë, SHBA-në dhe Singaporin, po monitorojnë pasagjerët që janë larguar nga anija dhe kanë hyrë në territorin e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu