
Aktivistë të mjedisit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë u mblodhën këtë të diel para Ministrisë së Brendshme në Tiranë për të protestuar kundër zhvillimeve të fundit në Zvërnec dhe projektit turistik që po zhvillohet në zonë.
Tubimi vjen një ditë pas përplasjeve të ndodhura në Zvërnec, ku protestuesit u përballën me rojet e sigurisë private të kompanisë që ka nisur punimet në territorin e rrethuar. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan një protestues që u tërhoq zvarrë gjatë incidentit, ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta publike.
Gjatë protestës në Tiranë, aktivisti i mjedisit Taulant Binaj deklaroi se kundërshtimi ndaj projektit nuk lidhet vetëm me Zvërnecin, por me mbrojtjen e të gjitha zonave natyrore në vend.
“Shqipëria nuk shitet. Kjo nuk është një betejë vetëm për Zvërnecin, por për të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Binaj para protestuesve.
Sipas tij, problematika kryesore lidhet me ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura, të cilat ai i cilësoi si një hap që favorizon ndërhyrjet në territore me vlera të veçanta mjedisore.
Protestuesit kërkuan transparencë mbi projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura dhe garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë natyrore. Ata paralajmëruan se do të vijojnë reagimet publike kundër çdo projekti që, sipas tyre, cenon interesin publik dhe mjedisin.
Ndërkohë, debati mbi projektin në Zvërnec është intensifikuar pas përplasjeve të së shtunës, reagimeve të Policisë së Shtetit, kompanisë zhvilluese dhe deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë.






