Momente tmerri janë regjistruar në brigjet jugperëndimore të Turqisë, ku një anije turistike me 148 pasagjerë në bord është fundosur pranë Marmarisit, duke detyruar dhjetëra persona të hidhen në det për të shpëtuar jetën.

Anija turistike “Big Boss Diamond”, e njohur për lundrimet e saj me tematikë piratësh, po zhvillonte një udhëtim ditor pranë Ishullit Paradise dhe Gjirit Akvaryum kur filloi të mbushej me ujë dhe u fundos brenda më pak se një ore.

Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momentet dramatike kur anija anon në mënyrë të rrezikshme, ndërsa pasagjerët përpiqen të largohen me shpejtësi. Sipas raportimeve, në bord ndodheshin edhe rreth 20 fëmijë.

Menjëherë pas alarmit u organizua një operacion i gjerë shpëtimi me pjesëmarrjen e ekipeve emergjente dhe anijeve private që ndodheshin në zonë.

Autoritetet turke konfirmuan se të gjithë pasagjerët u evakuuan në kohë dhe u transportuan në breg pa viktima apo të lënduar rëndë.

Në një deklaratë zyrtare, autoritetet e provincës Mugla bënë të ditur se ekipet e shpëtimit koordinuan evakuimin me ndihmën e mjeteve lundruese pranë vendngjarjes dhe se asnjë nga të shpëtuarit nuk paraqiti probleme serioze shëndetësore.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende nën hetim. Disa pasagjerë kanë deklaruar se para fundosjes është konstatuar një zjarr në motorin e anijes, i cili mund të ketë shkaktuar dëmtime që çuan në hyrjen e ujit dhe fundosjen e saj.

Një turiste britanike, e cila u shpëtua gjatë operacionit, e përshkroi ngjarjen si një përvojë traumatike.

“Jam e lumtur që dola që andej dhe jam gjallë”, tha ajo.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu