Shkencëtarët kanë identifikuar një specie të re oktapodi të vogël blu, të zbuluar në thellësitë e Ishujve Galapagos, një krijesë që po mahnit studiuesit për pamjen e pazakontë dhe madhësinë e saj minimale.

Oktapodi i ri, i quajtur “Microeledone galapagensis”, është aq i vogël sa mund të futet në pëllëmbën e dorës, ndërsa trupi i tij blu dhe sytë e mëdhenj i japin një pamje që studiuesit e krahasuan me një lodër pelushi.

Krijesa u filmua për herë të parë në vitin 2015 nga një robot nënujor në rreth 1,770 metra thellësi pranë Galapagosit.

Pamjet tregojnë oktapodin duke lëvizur mes baltës dhe sedimenteve në fundin e oqeanit.

“Është një krijesë e vogël shumë e lezetshme”, dëgjohet të thotë një prej anëtarëve të ekipit në videon e zbulimit.

Megjithatë, studiuesve iu deshën më shumë se 10 vite për ta analizuar dhe klasifikuar zyrtarisht si specie të re.

Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore “Zootaxa”, oktapodi u identifikua nga Janet Voight, kuratore në Field Museum në Chicago.

Për shkak se ekzemplari ishte shumë delikat, shkencëtarët shmangën prerjet tradicionale laboratorike dhe përdorën një skaner CT për të krijuar një model 3D të trupit të tij.

Mijëra imazhe me rreze X u bashkuan në mënyrë dixhitale për të analizuar anatominë e krijesës pa e dëmtuar.

Studiuesit zbuluan se kjo specie i përket gjinisë “Microeledone”, e cila deri tani kishte vetëm një specie tjetër të njohur në Oqeanin Paqësor pranë Kaledonisë së Re.

Sipas ekspertëve, zbulimi ndihmon shkencën të kuptojë më mirë jetën në oqeanet e thella, një zonë ku njerëzit kanë eksploruar më pak se 0.001% të sipërfaqes.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe në ekosistemet e thellësive detare, ndërsa shumë specie mund të zhduken përpara se të zbulohen.

Galapagosi konsiderohet një nga zonat me biodiversitetin më unik në planet, me mijëra specie që nuk gjenden askund tjetër në botë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu