
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Brukseli se Shqipëria ka hyrë në fazën më të rëndësishme të procesit të integrimit europian, ndërsa vlerësoi reformën në drejtësi dhe goditjen e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend.
Në konferencën për shtyp pas Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama tha se vendi ka sot “drejtësinë më të pavarur që ka pasur ndonjëherë”.
“E nisëm me stigmën e një vendi që kishte pandëshkueshmëri dhe tani kemi realizuar goditjen e pandëshkueshmërisë. Tani kemi drejtësinë më të pavarur”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se rrugëtimi europian i Shqipërisë është “i pakthyeshëm” dhe se qeveria është gati të përballet me sfidën finale drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Është sfida më e madhe me të cilën jemi përballur dhe ne do t’ia dalim”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se Shqipëria ka sot institucione më të forta, ekonomi më të zhvilluar dhe administratë më të aftë krahasuar me 10 vite më parë.
Ai shprehu bindjen se Shqipëria do të arrijë të anëtarësohet në BE përpara përfundimit të mandatit të Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Nga ana e saj, Marta Kos vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformat për shtetin e së drejtës dhe veçanërisht reformën në drejtësi.
Komisionerja europiane deklaroi se SPAK është kthyer në “institucionin më të besueshëm në Shqipëri”.
“Kemi pasur ngritjen e SPAK-ut, strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është institucioni flamurtar antikorrupsion në Shqipëri”, deklaroi Kos.
Ajo theksoi se Bashkimi Europian ka përcaktuar tashmë edhe piketat mbyllëse për kapitujt më të rëndësishëm që lidhen me drejtësinë, antikorrupsionin dhe shtetin ligjor.
Sipas Kos, Shqipëria është vendi i dytë kandidat pas Malit të Zi që ka përmbushur kushtet e ndërmjetme për shtetin e së drejtës.
Komisionerja shtoi se BE mbështet objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027, por kërkoi vazhdimin e reformave dhe përfshirjen e të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile në proces.






