
Një postim i bërë viral në Instagram po hap debat të madh në rrjetet sociale mbi lodhjen mendore, presionin në punë dhe fenomenin e “burnout”-it.
Mesazhi, i publikuar nga faqja “peakperformancewithjulia”, nis me frazën: “Një menaxher i lartë më tha njëherë çfarë ndodh me njerëzit që kujdesen tepër në punë… dhe nuk mund ta harroj më”.
Postimi thekson se në ambientin e punës “të gjithë janë të zëvendësueshëm”, edhe ata që sakrifikojnë më shumë, që qëndrojnë deri vonë në zyrë apo marrin përgjegjësi që nuk u përkasin.
“Ata besojnë se besnikëria do t’i mbrojë dhe se sakrifica do të shpërblehet një ditë”, thuhet në një nga mesazhet e postimit.
Sipas autores, sistemi nuk e shpërblen gjithmonë tejkalimin e vetes, por thjesht mësohet me të dhe kërkon gjithnjë e më shumë.
“Kur tejlodhesh, nuk bëhesh i pazëvendësueshëm. Bëhesh thjesht personi mbi të cilin hidhet më shumë punë, më shumë presion dhe më shumë pritshmëri”, shkruhet më tej.
Postimi ndalet edhe tek momenti i “burnout”-it, duke theksuar se kur një person largohet apo dorëzohet nga lodhja, puna vazhdon dhe sistemi ecën përpara.
“Kjo nuk do të thotë se puna jote nuk kishte rëndësi. Do të thotë se ti ke më shumë vlerë sesa një punë që përshtatet edhe pa ty”, është një tjetër frazë që po shpërndahet masivisht nga përdoruesit.
Mesazhi përmbyllet me një apel për të mos e kthyer djegien emocionale në normë dhe për të mbrojtur veten po aq sa karrierën.





