Gjykata Kushtetuese ka votuar në favor të Erion Veliajt lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”. Me rezultatin 5 me 3, gjyqtarët kanë vlerësuar se masa ndaj kryebashkiakut të Tiranës nuk ishte proporcionale, ndërsa diskutimet për vendimin u zhvilluan këtë të hënë në ambientet e Kushtetueses.

Vendimi nuk do të thotë automatikisht shfuqizim i masës apo lirimin e menjëhershëm të Veliajt, por praktikisht rrëzon mënyrën se si është arsyetuar dhe vlerësuar masa nga gjykatat më të ulëta, përfshirë edhe qëndrimin e mëvonshëm të Gjykata e Lartë.

Çështja pritet të rikthehet për rishqyrtim në gjykatat kompetente, të cilat do të duhet të rivlerësojnë proporcionalitetin dhe argumentimin e masës së sigurisë në përputhje me standardet e përcaktuara nga Kushtetuesja.

Në aspekt juridik dhe publik, vendimi konsiderohet një fitore e rëndësishme për Veliajn, pasi Gjykata Kushtetuese ka pranuar thelbin e pretendimit të tij mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë raporton VNA.al

Veliaj po përballet me drejtësinë për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, ndërsa prej shkurtit 2025 mbahet në paraburgim me kërkesë të SPAK.

Ndërkohë, dosja me 30 të akuzuar është ndarë në dy pjesë pas kërkesës së 11 të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Në njërën pjesë përfshihet ish-deputetja Klotilda Bushka dhe disa biznesmenë, ndërsa në tjetrën, ku ndodhet edhe Veliaj, procesi me gjykim të zakonshëm do të rinisë më 26 maj.

Avokatët e Veliajt kanë kërkuar transmetimin live të procesit gjyqësor dhe që ai të përballet me gjykatën në sallë dhe jo në kafazin e qelqtë.

Kërkesa e fundit e Veliajt ishte depozituar më 6 maj, menjëherë pasi Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë orientuan se masa “arrest në burg” duhet të jetë alternativa e fundit dhe se prokuroria duhet të argumentojë rrezikshmërinë konkrete të të dyshuarit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu