Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, zhvilloi këtë të diel një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama dhe homologun shqiptar, Ermal Nufi.

Vizita e ministrit grek ka marrë vëmendje të gjerë edhe në mediat greke, të cilat e lidhin atë me zhvillimet e fundit gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor dhe interesin në rritje të NATO-s për rajonin.

Në axhendën zyrtare të Dendias ishte edhe një takim me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joanin.

Sipas raportimeve dhe analizave në mediat greke, në fokus të diskutimeve kanë qenë bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, siguria rajonale dhe zhvillimet strategjike në Ballkanin Perëndimor.

Analistët grekë vlerësojnë se vizita shkon përtej marrëdhënieve tradicionale mes Athinës dhe Tiranës, duke u lidhur me katër faktorë kryesorë:

  • Rritjen e rëndësisë strategjike të Ballkanit Perëndimor për NATO-n dhe SHBA;
  • Përforcimin e pranisë perëndimore përballë ndikimit rus dhe turk në rajon;
  • Përpjekjen e Greqisë për të marrë një rol më aktiv në Ballkan;
  • Nevojën për koordinim më të fortë mes aleatëve për shkak të luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.

Burime diplomatike kanë bërë me dije se nga kjo vizitë nuk priten zhvillime konkrete për çështjet e hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë, si kufizimi i zonave detare apo çështja e Gjykatës së Hagës, pasi këto mbeten në kompetencë të diplomacisë dhe ministrive të jashtme.

Ndërkohë, paralelisht me vizitën e Dendias në Tiranë, ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis zhvilloi në Athinë një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Politikës së Jashtme me fokus zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Sipas vlerësimeve të mediave greke, mesazhi kryesor i kësaj vizite është se Greqia, NATO dhe SHBA po ndjekin me interes të shtuar zhvillimet në rajon dhe synojnë ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit në kuadër të orientimit euroatlantik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu