
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke urdhëruar vijimin e procedurës hetimore dhe kryerjen e 20 veprimeve të reja brenda 6 muajve.
Në seancën e zhvilluar sot në GJKKO, gjykata vendosi që Prokuroria e Posaçme nuk kishte ezauruar hetimet dhe i ngarkoi SPAK-ut një sërë detyrash shtesë që lidhen me dokumentacionin, hyrje-daljet kufitare dhe procedurat e ndjekura ndaj gjyqtares në Greqi.
Sipas vendimit, ndër veprimet hetimore që duhet të kryhen janë pyetja e kallëzuesve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Adriana Kalaja, si edhe administrimi i dokumenteve nga autoritetet greke.
Gjykata kërkon gjithashtu marrjen e vendimeve penale nga gjykatat në Athinë dhe Janinë, procesverbalet e ndalimit në kufi, raportet e ekspertizës për pasaportën me vizë të falsifikuar, si dhe formularët e dekriminalizimit të plotësuar nga Irena Gjoka ndër vite pranë institucioneve të drejtësisë.
Në listën e detyrave përfshihet edhe administrimi i dokumenteve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe dosja hetimore e nisur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Sipas pretendimeve të ngritura në seancë nga pala kallëzuese, ekzistojnë mospërputhje në identitetin dhe dokumentacionin e gjyqtares, ndërsa SPAK akuzohet se nuk ka kryer hetim të plotë për çështjen.






