Jozefina Topalli akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se po i shmangen llogaridhënies parlamentare, duke mos marrë pjesë në interpelanca dhe mocione debati në Kuvend.

Nga foltorja e Parlamentit, Topalli iu drejtua kryetarit të seancës, Niko Peleshi, duke kërkuar shpjegime për mungesën e Ramës në diskutimet parlamentare.

“Në 25 vite në këtë Parlament do gjeni, kushdo që ka qenë, Nano, Berisha, ka qenë aty, duke iu nënshtruar pyetjeve, seancave, rregullores dhe interpelancave,” deklaroi Topalli.

Deputetja e Partisë Demokratike ironizoi gjithashtu kryeministrin, duke thënë se pushteti nuk matet me daljet televizive.

“Ju e dini se kryeministri nuk është influencer. Qenia në pushtet nuk matet me sa gjatë flet një kryeministër në televizor, por me kushtet e parlamentarizmit dhe kontrollit që pakica ka mbi shumicën,” u shpreh ajo.

Topalli kërkoi që Rama të jetë i pranishëm në Kuvend sidomos në debate që lidhen me procesin e integrimit europian, të cilin e cilësoi si një nga shtyllat kryesore të retorikës së tij politike.

“Pse nuk vjen kryeministri në Kuvend për interpelanca? Pse nuk vjen kur ka mocion, kur shqyrtohet çështja kryesore që ai e ka pasur shtyllën kryesore të fushatës së tij?” tha Topalli.

Në fund, ajo këmbënguli se kreu i qeverisë duhet të japë llogari përpara Parlamentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu