
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë publike rezultatet e analizave për rastin e helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë, duke konfirmuar se një mostër makarone rezultoi me ngarkesë bakteriale mbi normat e lejuara.
Sipas AKU-së, nga nëntë mostra të marra për analiza, tetë dolën brenda parametrave, ndërsa mostra e makaronave të gatshme, e marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk, rezultoi jokonforme për praninë mbi normë të bakterieve Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulaze pozitive.
Për këtë arsye, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit për subjektin “SORI-AL”, me administratore Alma Tafani, deri në përmbushjen e kërkesave ligjore për pastrim dhe dezinfektim të ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Autoritetet ndërhynë edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku sipas hetimeve është kryer prodhimi i produkteve ushqimore të dyshuara si shkaktarë të helmimit.
AKU njoftoi gjithashtu se ndaj subjektit është vendosur gjobë administrative prej 1.5 milionë lekësh për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.
Subjektit iu la detyrë edhe asgjësimi i produktit të bllokuar që rezultoi jashtë standardeve.
Rasti lidhet me helmimin e dhjetëra kursantëve të Akademisë së Sigurisë, ku sipas raportimeve paraprake u prekën 56 studentë.






