
Mazhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësi për draft-rezolutën mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, pas një debati maratonë prej rreth pesë orësh në Komisionin për Politikën e Jashtme.
Dokumenti, që pritet të miratohet në Kuvend, përfshin disa nga kërkesat kryesore të opozitës dhe synon forcimin e reformave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Një nga pikat kryesore të draftit është rritja e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë dhe institucioneve të pavarura, duke kërkuar më shumë transparencë, auditim dhe llogaridhënie.
Rezoluta parashikon gjithashtu angazhimin e mazhorancës për të garantuar pjesëmarrjen e plotë të opozitës në jetën parlamentare dhe respektimin e kërkesave të saj.
Nga ana tjetër, opozita angazhohet të marrë pjesë normalisht në aktivitetin parlamentar dhe të kontribuojë në forcimin e dialogut politik.
Në dokument kërkohet edhe përshpejtimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, me synimin për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një tjetër pikë e rëndësishme është forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbështetja për institucionet kushtetuese dhe zbatimin e vendimeve të tyre.
Draft-rezoluta përfshin edhe angazhime për mbrojtjen e lirisë së medias dhe gazetarëve, si dhe përfshirjen më të madhe të qytetarëve dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit.
Dakordësia mes PS dhe opozitës vjen pas tensioneve të fundit politike për raportin e Parlamentit Europian dhe rolin e Kuvendit në procesin e integrimit.






