
Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë debatet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke dhënë një mesazh të fortë për Elisa Spiropalin pas deklaratave dhe tensioneve të fundit në PS.
Gjatë një bashkëbisedimi me botuesin e “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, Rama u pyet drejtpërdrejt për situatën brenda socialistëve dhe raportin me Spiropalin, Erion Braçen dhe Ogerta Manastirliun.
Për Erion Braçen, Rama u shpreh se deputeti socialist “është vetvetja” dhe se nuk ka asgjë të re në qëndrimet e tij.
“Ka qenë ai që është, ashtu është dhe ashtu duhet të jetë”, deklaroi Rama.
Por momenti më i fortë i intervistës erdhi kur biseda u fokusua te Elisa Spiropali.
I pyetur nëse Spiropali mund të përjashtohet nga PS pas deklaratave të saj, Rama shmangu një përgjigje direkte, por dha një paralajmërim të qartë.
“Çdo njeri mund të gabojë. Kush ka dhënë kontribute mund të gabojë dhe herën e dytë, e treta pastaj e ndan”, tha kryeministri.
Më herët gjatë bisedës, Rama tha se “ka vija të kuqe që nuk duhen kaluar”, ndërsa Nikollë Lesi këmbënguli se Spiropali kishte kaluar “dy vija të kuqe”.
Në debat u përmend edhe gazetari Martin Leka, i cili sipas Lesit kishte deklaruar se do ta kishte përjashtuar Spiropalin “për tre minuta”.
Rama ironizoi edhe statusin e Spiropalit, duke thënë se ishte “shkruar shumë bukur me ChatGPT”.
Megjithatë, ai tentoi të minimizojë idenë e një krize të brendshme në PS.






