Galeria e Artit Bashkëkohor Tiranë, GOCAT pjesë e Fondacionit Mane, ka çelur ekspozitën “Diona e Dheut”, një projekt artistik që sjell në qendër qeramikën shqiptare dhe figurën mitologjike të Dionës, hyjneshës së tokës dhe fuqisë krijuese femërore.

Ekspozita bashkon pesë artiste nga Shqipëria dhe Kosova: Mira Kuçuku, Llambrini Dëna Bojaxhiu, Laura Sllamniku Kryeziu, Blerta Surroi dhe Gresa Kurti.

E kuruar nga Suzana Varvarica, ekspozita ndërtohet si një udhëtim artistik në pavione të ndryshme, ku secila artiste ruan stilin dhe individualitetin e saj, ndërsa veprat komunikojnë përmes simbolikës së përbashkët të tokës, gruas dhe krijimit.

Sipas kuratores, figura e Dionës ka një lidhje të fortë me fiset epirote dhe me traditën e lashtë të qeramikës si formë e gjenezës artistike dhe njerëzore.

“Arkitektura e brendshme e kësaj galerie është perfekte për këtë ekspozitë”, u shpreh Suzana Varvarica.

Drejtoresha e Galerisë GOCAT, Ena Bulku, theksoi se kjo është hera e parë që galeria prezanton një ekspozitë të fokusuar tërësisht tek skulptura dhe instalacioni në qeramikë.

Ekspozita, e mbështetur nga Mane Foundation do të qëndrojë e hapur deri më 28 qershor dhe vizitorët do të mund ta ndjekin falas në ambientet e Galerisë së Artit Bashkëkohor Tiranë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu