Shqipëria ka përpara 101 detyra dhe kushte të vendosura nga Bashkimi Europian për të avancuar drejt mbylljes së negociatave për anëtarësim. Këtë e bëri të ditur ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka gjatë raportimit në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme.

Dhuka deklaroi se vendi pret me interes të lartë miratimin e raportit të IBAR nga shtetet anëtare, pasi sipas saj kjo do t’i hapte Shqipërisë “dritën jeshile” për të hyrë në fazën e mbylljes së negociatave.

Sipas kryenegociatores, një nga sfidat më të mëdha për integrimin europian mbetet mjedisi, duke theksuar se kërkohen investime të mëdha në infrastrukturë, trajtimin e ndotjes së ajrit dhe ujërave, si edhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme.

“Është një nga fushat më sfiduese për anëtarësimin dhe pas anëtarësimit”, u shpreh Dhuka.

Ajo theksoi se drejtësia dhe siguria mbeten ende kapituj të ndjeshëm në diskutimet me vendet anëtare, ndërsa vijon puna për përmbushjen e kushteve.

Në raportimin e saj, Dhuka bëri me dije se janë hartuar 31 draftplane pune që përfshijnë rreth 600 nisma europiane dhe ndryshime ligjore për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.

Sipas saj, teknikisht janë përmbushur kushtet për 3 grupkapituj, ndërsa puna vijon për 7 të tjerë.

“Kemi përfunduar punën për marrëdhëniet me jashtë, kërkimin shkencor, kulturën dhe arsimin”, deklaroi ajo, duke shtuar se Kuvendit do t’i paraqiten 8 paketa të rëndësishme ligjore.

Një tjetër çështje që po diskutohet me Komisionin Europian është edhe ligji për investimet strategjike dhe ndryshimet në Kodin Penal për mashtrimin financiar.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, akuzoi qeverinë se po mban “top sekret” procesin e integrimit dhe se nuk ka progres real në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu