
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, duke theksuar se as shumica dhe as opozita nuk kanë të drejtë të bllokojnë funksionimin e këtij institucioni.
Balla u shpreh se mbledhjet e Këshillit do të zhvillohen pavarësisht mungesës së përfaqësuesve të caktuar politikë, duke nënvizuar se pjesëmarrja është përgjegjësi individuale. Ai përmendi edhe mungesën e bashkëkryetares Jorida Tabaku, duke thënë se vendi i saj në tryezë është i garantuar, por mosprania nuk mund të pengojë punën e Këshillit.
Sipas Ballës, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian është një forum unik ku bëhen bashkë institucionet më të larta të shtetit, opozita, shumica, drejtësia dhe shoqëria civile për të diskutuar procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ai kritikoi bojkotin e opozitës me argumentin e protestave politike, ndërsa përmendi edhe shqetësimet e ngritura nga zyrtarë europianë lidhur me mungesën e opozitës në proceset integruese.
“Nuk ka një tryezë tjetër si kjo, ku të mblidhen Presidenti i Republikës, qeveria, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë dhe shoqëria civile. Askush nuk mund ta marrë peng këtë Këshill”, deklaroi Balla.






