
Një konflikt i nisur në një lokal në zonën e “Qafë Gjashtës” në Sarandë ka përfunduar në mënyrë tragjike mbrëmjen e kësaj të enjteje, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 66-vjeçari Rexhep Ismaili, pronar karburanti dhe kryetar i Shoqatës “Çamëria” dega Sarandë.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, pas një sherri mes disa personash që fillimisht degradoi në përdorimin e sendeve të forta dhe më pas në armë zjarri.
Policia dyshon se autor i vrasjes është shtetasi Lulëzim Tabaku, i cili pas krimit është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë në konflikt.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë përplasjes është plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pasi nuk është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.
Në njoftimin zyrtar, policia deklaron se konflikti nisi në lokalin në pronësi të viktimës dhe më pas përshkallëzoi në përdorimin e armëve të zjarrit, ku humbi jetën Rexhep Ismaili.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie ngritën pika kontrolli dhe nisën kontrollet në zonë për kapjen e autorit dhe personave të tjerë të përfshirë. Po ashtu, po kryhen verifikime në spitalet rajonale dhe klinikat private për identifikimin e personit të plagosur.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë.






