Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për të shtyrë afatin e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë. Mbështetësit e të akuzuarve, partitë politike dhe Organizata e Veteranëve të Luftës e kanë cilësuar vendimin si një zvarritje të padrejtë të procesit dhe një goditje ndaj besimit te drejtësia ndërkombëtare.

Në njoftimin zyrtar, Dhomat e Specializuara konfirmuan se trupi gjykues ka vendosur të zgjasë edhe me 60 ditë afatin për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke sqaruar se 20 korriku 2026 është vetëm afati i ri procedural dhe jo data përfundimtare e shpalljes së vendimit shkruan Koha Ditore.

Platforma “Liria ka Emër” reagoi ashpër, duke deklaruar se procesi ka humbur kredibilitetin dhe është kthyer në “mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme”. Sipas saj, mbajtja për gati gjashtë vite në paraburgim e ish-udhëheqësve të UÇK-së bie ndesh me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe gjykimit brenda një afati të arsyeshëm.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës e konsideroi shtyrjen si të pajustifikueshme dhe të ndikuar nga “kalkulime politike”, duke theksuar se procesi i stërzgjatur po shndërrohet në një “dënim të heshtur” përmes paraburgimit të zgjatur.

Ndërkohë, Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, u ka dërguar letër zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së Kaja Kallas, ku ka ngritur shqetësime për garantimin e një procesi të drejtë dhe transparent në Hagë.

Në të njëjtën ditë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dorëzoi në Gjykatën Speciale një peticion me mbi 200 mijë nënshkrime me kërkesën “Drejtësi për çlirimtarët”. Kryetari i veteranëve, Hysni Gucati, deklaroi se peticioni përfaqëson “vullnetin e një kombi që nuk e harron sakrificën”.

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur në prill të vitit 2023, ndërsa ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej afro gjashtë vitesh. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të gjithë të pandehurit i kanë mohuar vazhdimisht.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu