
TIRANË – Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që Sali Berisha të jetë kandidati i vetëm në garën për kryetar të partisë në zgjedhjet e 23 majit.
Vendimi u bë publik pas mbledhjes nga deputeti Ivi Kaso, i cili sqaroi se vetëm Berisha përmbushte të gjitha kriteret e vendosura nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE).
Sipas tij, dy kandidatët e tjerë, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj, edhe pse plotësonin kriterin e anëtarësisë, nuk përmbushnin kushtet e tjera, kryesisht atë të eksperiencës drejtuese 10-vjeçare në strukturat e partisë.
“Komisioni njëzëri vlerësoi se zoti Berisha i plotësonte të treja kriteret, ndërsa kandidatët e tjerë nuk plotësonin kërkesat për eksperiencë drejtuese dhe për këtë arsye u konsideruan të papërshtatshëm”, u shpreh Kaso.
Duke iu referuar rastit të Mereme Selës, ai theksoi se dokumentacioni i saj nuk ishte i plotë, pasi mungonte formulari i dekriminalizimit, si dhe nuk plotësohej kriteri i eksperiencës në nivele të larta drejtuese.
Kaso komentoi edhe ankimimin e Selës në gjykatë, duke theksuar se kjo nuk është rruga e duhur sipas statutit të partisë.
“Statuti parashikon që ankimimi duhet të bëhet fillimisht në strukturat e partisë dhe vetëm pas ezaurimit të kësaj rruge mund t’i drejtohesh gjykatës”, tha ai.
Me këtë vendim, gara për drejtimin e Partisë Demokratike mbetet me një kandidat të vetëm, ndërsa votimi është parashikuar të mbahet më 23 maj.



