Gazeta italiane Corriere della Sera ngre dyshime se pas valës së emigrantëve që goditi Ceutën mund të ketë një sfond më të gjerë gjeopolitik, ku përfshihet edhe e djathta amerikane pranë Donald Trump. Autori Federico Fubini thekson se nuk ka prova përfundimtare, por rendit një sërë elementësh që, sipas tij, meritojnë vëmendje.

Sipas analizës, vetëm pak muaj para krizës, think tank-u konservator amerikan American Enterprise Institute publikoi një artikull ku argumentonte se kontrolli spanjoll mbi Ceutën dhe Melillën ishte “i paligjshëm” dhe se Maroku mund të ushtronte presion përmes një “Vale të Gjelbër”, me mijëra persona që do të hynin pa armë në enklavat spanjolle.

Corriere kujton gjithashtu se në prill, deputeti republikan Mario Diaz-Balart siguroi miratimin në Kongres të një pakete prej 40 milionë dollarësh për Marokun, të ndarë mes programeve të sigurisë kombëtare dhe financimit ushtarak. Sipas gazetës, këto fonde tregojnë një bashkëpunim më të ngushtë mes shërbimeve amerikane dhe atyre marokene.

Analiza shton se, nëse autoritetet marokene kanë nxitur emigrantët drejt Ceutës, atëherë është e vështirë të mendohet se inteligjenca amerikane nuk ka qenë në dijeni të zhvillimeve. Në të njëjtën kohë, Donald Trump reagoi menjëherë duke fajësuar qeverinë e Pedro Sánchez për krizën dhe duke u paraqitur si mbrojtës i kufijve kundër emigracionit të paligjshëm.

Autori vëren gjithashtu se Rusia e shfrytëzoi krizën në fushën e propagandës, ndërsa Bashkimi Evropian u përça politikisht për mënyrën e reagimit ndaj Spanjës.

Në përfundim, Corriere della Sera thekson se këto nuk janë prova, por një seri indiciesh gjeopolitike.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu