Tre persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të dyshuar të virusit hantavirus në një anije turistike që po lundronte në Oqeanin Atlantik, konfirmoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas autoriteteve shëndetësore, një rast është konfirmuar zyrtarisht, ndërsa pesë të tjerë janë nën hetim. Një shtetas britanik ndodhet në gjendje kritike në terapi intensive.

Rastet u raportuan në bordin e anijes “MV Hondius”, e cila ishte nisur nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër. Anija operohet nga kompania holandeze “Oceanwide Expeditions”.

Autoritetet bëjnë të ditur se pacienti i parë që shfaqi simptoma ishte një pasagjer 70-vjeçar, i cili ndërroi jetë në bord. Trupi i tij ndodhet aktualisht në ishullin Saint Helena. Bashkëshortja e tij, 69 vjeç, u sëmur gjithashtu dhe u transportua në Afrikën e Jugut, ku humbi jetën në një spital në Johanesburg.

Një tjetër pasagjer britanik, gjithashtu 69 vjeç, është dërguar në spital dhe po trajtohet në gjendje të rëndë.

Hantavirusi zakonisht lidhet me kontaktin me brejtës të infektuar, përmes urinës apo feçeve të tyre, dhe shkakton probleme të rënda respiratore. Në raste të rralla, virusi mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.

OBSH ka nisur koordinimin me autoritetet përkatëse dhe operatorët e anijes për evakuimin mjekësor të rasteve të dyshuara dhe për vlerësimin e rrezikut për shëndetin publik.

Në bordin e “MV Hondius”, një anije turistike polare me kapacitet rreth 170 persona, vijojnë hetimet dhe masat për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu