
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga politika, pavarësisht situatës së tij aktuale dhe procesit gjyqësor që po përballet.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, të drejtuar nga Blendi Fevziu, Meta u shpreh se është “më i vendosur se kurrë që të luftojë”, duke e cilësuar largimin nga politika si një braktisje të vetë lirisë.
Ai komentoi edhe gjendjen e tij shëndetësore pas paraqitjes në gjykatë, duke pranuar se ka humbur peshë, por theksoi se kjo lidhet me aktivitetin fizik të përditshëm dhe jo me probleme shëndetësore.
Meta kritikoi gjithashtu mënyrën e trajtimit të tij në paraburgim, duke përmendur izolimin ekstrem dhe kufizimet në të drejtat e tij, ndërsa i referohej edhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit për shkelje të mundshme.
Sa i përket procesit gjyqësor, ai hodhi akuza për mungesë standardesh dhe paanshmërie, duke përmendur edhe çështjen CEZ-DIA, të cilën e cilëson si një proces të përsëritur ndër vite pa prova konkrete ndaj tij.
Në intervistë, Meta foli edhe për raportin me Monika Kryemadhi, duke theksuar se nuk ka asnjë koordinim me të për çështjen gjyqësore dhe se përgjegjësitë janë individuale.
Ish-presidenti, i arrestuar në tetor 2024 me urdhër të SPAK, e konsideron procesin ndaj tij si të motivuar politikisht dhe shprehet se do të vijojë betejën në drejtësi dhe në politikë.






