
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur se brenda muajit maj do të përfundojnë aktet nënligjore për zbatimin e paketës së “paqes fiskale”, duke i hapur rrugë faljes së detyrimeve të prapambetura për bizneset dhe individët.
Sipas tij, procesi është në fazën finale dhe është hartuar në konsultim me institucionet ndërkombëtare, ndërsa përfitues do të jenë të gjithë ata që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj.
Ligji parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve të papaguara në tatime dhe dogana deri në fund të vitit 2014, ndërsa për periudhën 2015–2019 ofrohet falje e pjesshme nëse paguhet një pjesë e detyrimit. Për detyrimet më të reja, deri në vitin 2024, parashikohet falja e gjobave dhe kamatëvonesave me kushtin e shlyerjes së plotë të principalit.
Në paketë përfshihet edhe marrëveshja e paqes fiskale, që u jep mundësi bizneseve të mëdha të hyjnë në një marrëveshje me administratën tatimore për parapagimin e tatimfitimit, në këmbim të shmangies së kontrolleve tatimore për një periudhë të caktuar.
Qeveria synon që përmes kësaj skeme të formalizojë ekonominë, të lehtësojë bizneset dhe të rrisë të ardhurat në buxhet, ndërsa vlera e detyrimeve të prapambetura që pritet të fshihen arrin në nivele të konsiderueshme.






