
Kryeministri Edi Rama e cilësoi forcimin e lekut përballë euros si një sukses të ekonomisë shqiptare dhe si tregues të drejtpërdrejtë të rritjes së saj.
Gjatë aktivitetit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama tha se zhvlerësimi i euros lidhet me shtimin e hyrjeve valutore në vend, nga turizmi, investimet dhe aktiviteti ekonomik.
“Forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare. Është një tregues kokëfortë i rritjes së ekonomisë”, deklaroi ai.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se forcimi i monedhës kombëtare vjen nga paratë e krimit apo pastrimi i parave, duke argumentuar se një fenomen i tillë do të ishte evidentuar nga institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë që monitorojnë ekonominë shqiptare.
Rama pranoi se në vend ekziston ekonomi informale dhe qarkullim parash të paligjshme, por tha se kjo nuk mund të përdoret për ta paraqitur të gjithë ekonominë shqiptare si të mbështetur te aktivitetet kriminale.
Sipas tij, vetëm nga turistët e huaj hyjnë në Shqipëri rreth 5.7 miliardë euro, ndërsa rritja e numrit të vizitorëve dhe e aktivitetit në aeroportin e Rinasit janë faktorë që ndikojnë në forcimin e lekut.
Ai shtoi se përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian është një tjetër argument kundër pretendimeve për një ekonomi të mbështetur te pastrimi masiv i parave.






