Një denoncim tronditës ka dalë në dritë në Tiranë, ku organizata Animal Rescue Albania pretendon se janë gjetur mbi 11 trupa qensh të pajetë, të hedhur në kazanët e mbeturinave, në një rast që po cilësohet si “varr masiv” në zemër të kryeqytetit.

Sipas organizatës, trupat e qenve ishin të ngrirë, çka ngre dyshime se janë mbajtur për një kohë të gjatë në ambiente frigoriferike përpara se të hidheshin. Në vendngjarje janë gjetur edhe mbetje spitalore dhe materiale veterinare, të cilat mund të lidhen me ndërhyrje si sterilizimi, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e strukturave të caktuara.

Animal Rescue Albania bën të ditur se ka depozituar kallëzim penal dhe ka dorëzuar prova tek autoritetet, duke kërkuar hetim të menjëhershëm, të plotë dhe transparent. Organizata deklaron se ka indicie për autorët dhe u bën thirrje qytetarëve dhe punonjësve që kanë informacion të mos heshtin.

Rasti ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, ndërsa aktivistët e cilësojnë këtë ngjarje si një “dështim të rëndë njerëzor dhe institucional”, që nuk i përket një qyteti që synon standarde europiane.

Autoritetet pritet të hetojnë rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, për të zbardhur përgjegjësit dhe për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me një rast të organizuar të keqtrajtimit të kafshëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu