
Paralajmërime serioze vijnë nga Polonia në prag të përballjes me Shqipërinë në play-off të Botërorit 2026. Një nga ikonat e futbollit polak, Marek Kozminski, ka ulur entuziazmin e tifozëve vendas, duke theksuar se skuadra e tyre nuk është aq e fortë sa duket dhe se kuqezinjtë mund të surprizojnë.
Në një intervistë për mediat polake, Kozminski u shpreh se Polonia aktualisht ka një ekip të pabalancuar dhe varet shumë nga disa individë kyç. “Nuk jam shumë optimist. Praktikisht kemi më pak se gjysmën e një ekipi të plotë me lojtarë të besueshëm”, tha ai, duke përmendur emra si Levandovski, Zielinski dhe mbrojtësit kryesorë si pikat e vetme të forta.
Ai theksoi se mungesat dhe pezullimet mund ta vendosin menjëherë Poloninë në vështirësi serioze, ndërsa kërkoi që edhe lojtarët e tjerë të marrin përgjegjësi për të shmangur një dështim të mundshëm.
Në anën tjetër, Shqipëria u vlerësua si një skuadër më e ekuilibruar. “Nuk kanë yje si ne, por janë shumë cilësorë si ekip”, deklaroi Kozminski, duke pranuar se kuqezinjtë janë një kundërshtar i rrezikshëm.
Deklarata e tij vjen vetëm pak orë para sfidës vendimtare, duke shtuar edhe më shumë tensionin për një ndeshje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.






