Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar një njoftim të përditësuar lidhur me situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme, në kushtet e përshkallëzimit të tensioneve ushtarake në rajon.

Sipas njoftimit zyrtar, situata mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme. Për këtë arsye, Ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë, qytetarët shqiptarë që ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme këshillohen:

Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale;

Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;

Të respektojnë në çdo kohë udhëzimet e autoriteteve lokale;

Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;

Në rast nevoje, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë sipas udhëzimeve të tyre.

Ministria paralajmëron se, në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë mbetet një mundësi reale, ndërsa fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim.

Për çdo çështje që lidhet me fluturimet, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse.

Autoritetet shqiptare theksojnë se janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu