
Autoritetet doganore të Malit të Zi kanë bllokuar në Portin e Tivarit një tjetër ngarkesë me mish viçi të ngrirë nga Brazili, pasi nga kontrollet rezultoi se produktit i kishte përfunduar afati i përdorimit. Ngarkesa kishte si destinacion kompaninë kosovare “Apetit” SHPK.
Sipas informacionit të publikuar nga Qendra ALERT, kontejneri përmbante 1,321 pako me mish, me peshë bruto 24,650 kilogramë. Autoritetet malazeze kanë bërë të ditur se afati i përdorimit kishte përfunduar më 14 maj.
Pas konstatimit, Dogana e Malit të Zi njoftoi inspektoratin veterinar dhe policinë, ndërsa procedura e tranzitit u ndërpre.
Rasti vjen pas bllokimit të tre kontejnerëve të tjerë me mish viçi, me peshë totale 77,841 kilogramë. Sipas deklaratës së autoriteteve doganore të cituar nga ALERT, në ato ngarkesa etiketat origjinale me afatet e skaduara ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me etiketa që mbanin një datë tjetër skadence. Mishi i këtyre tre kontejnerëve pritet të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.
Në të dyja rastet, autoritetet malazeze thonë se kanë ndaluar në total afro 103 tonë mish viçi. Sipas të njëjtit informacion, nga komunikimi mes administratave doganore janë konstatuar parregullsi të lidhura me të njëjtën kompani edhe në Portin e Durrësit.
Për rastet është informuar edhe Organizata Botërore e Doganave, me qëllim që administratat e vendeve të tjera të vihen në dijeni për mënyrën e dyshuar të tentativës për shpërndarjen e mishit.
Qendra ALERT pretendon gjithashtu se disa punonjës të kompanisë kosovare janë arrestuar në Mal të Zi nën dyshimin se ishin dërguar për të vendosur etiketa të reja mbi produktet me afat të kaluar. Në materialin e publikuar nuk jepen të dhëna të tjera zyrtare për identitetin e tyre apo akuzat konkrete.
ALERT kërkon nisjen e hetimeve edhe në Kosovë dhe Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për sigurinë ushqimore dhe mundësinë që produkte të tilla të përfundojnë në tregjet e dy vendeve.






