Një histori prekëse besnikërie vjen nga zona e Agro Nocerino Sarnese në Itali, ku një qen endacak ka ndjekur për kilometra të tëra ambulancën që po transportonte pronarin e tij drejt spitalit.

Sipas medias italiane Il Messaggero, protagonisti i kësaj ngjarjeje është Diego, qeni i pandarë i një burri pa banesë fikse që jetonte në San Marzano sul Sarno, në provincën e Salernos. Burri u dërgua me urgjencë në spital pas një frakture në femur. Por ndërsa ambulanca u nis drejt spitalit “Umberto I” në Nocera Inferiore, Diego nisi vrapimin pas saj.

Qeni arriti deri në ambientet e spitalit dhe tentoi madje të hynte në urgjencë në kërkim të të zotit. Rojet e sigurisë u përpoqën ta ndalonin, por pas disa përpjekjeve ai u largua dhe humbi gjurmët.

Ngjarja u bë publike në rrjetet sociale nga Gianna Senatore, presidente e një shoqate për mbrojtjen e kafshëve në zonë, duke nxitur një valë solidariteti për gjetjen e tij. Një ditë më vonë, Diego u gjet rastësisht nga një vullnetar në Castellammare di Stabia, mbi 20 kilometra larg spitalit.

Pasi u identifikua, qeni u dërgua në strehën e kafshëve në Nocera Inferiore, ku do të qëndrojë deri sa pronari i tij të rikuperohet.

Një histori që rikujton edhe njëherë lidhjen e fortë mes njeriut dhe kafshës, dhe besnikërinë e pakushtëzuar që vetëm një mik me katër putra mund të tregojë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu