Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, është ekstraduar nga Belgjika drejt Shqipërisë dhe ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Ai ishte arrestuar nga autoritetet belge në nëntor të vitit 2024, ndërsa Suel Çela vijon të jetë person i shpallur në kërkim.

Çela akuzohet për përfshirje në veprimtari të rënda kriminale, përfshirë vrasje, trafik droge dhe pastrim parash. Emri i tij është përmendur në disa episode hetimore të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të goditjes së grupeve të strukturuara kriminale.

Sipas hetimeve, Mario Çela dyshohet se drejtonte një grup kriminal që vepronte në Shqipëri dhe në vende të Bashkimit Europian. Ai akuzohet gjithashtu për përfshirje në vrasjen e Bledar Muçës, i konsideruar si krahu i djathtë i Ardian Çapjas, i cili sipas autoriteteve ishte vënë në shënjestër nga grupi i Suel Çelës.

Hetimet tregojnë se anëtarët e organizatës kishin role kyçe në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, si vrasje me paramendim dhe trafik i lëndëve narkotike. SPAK ka dokumentuar gjithashtu tentativa për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

Bëhet fjalë për rreth 930 kilogramë kokainë, si edhe një tjetër tentativë për trafikimin e 466 kilogramëve nga Ekuadori drejt Holandës, në janar 2021.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu