
Aktori amerikan James Van Der Beek, i njohur për rolin e tij në serialin adoleshent Dawson’s Creek, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare pas një beteje me kancerin e zorrës së trashë.
Familja e tij njoftoi se aktori “u nda nga jeta në paqe” dhe se i përballoi ditët e fundit “me kurajë, besim dhe dinjitet”. Van Der Beek ishte diagnostikuar me sëmundjen në gjysmën e dytë të vitit 2023, por e bëri publik lajmin vetëm në nëntor 2024.
Babai i gjashtë fëmijëve u bë i famshëm në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, duke luajtur në disa prodhime të suksesshme televizive dhe kinematografike, përfshirë edhe filmin Varsity Blues.

Në një intervistë të mëparshme, ai kishte treguar se fillimisht vuri re ndryshime në funksionet e zorrëve, një simptomë e zakonshme e kësaj sëmundjeje. Analizat zbuluan se vuante nga faza e tretë e kancerit, që do të thotë se sëmundja ishte përhapur në nyjet limfatike pranë.
Gjatë trajtimit, aktori rrëfeu se momenti më i vështirë ishte ndjesia se po humbiste pjesë të rëndësishme të identitetit të tij si baba, bashkëshort dhe mbështetës i familjes. Megjithatë, pas diagnozës ai u angazhua në rritjen e ndërgjegjësimit për kontrollin e hershëm, duke theksuar se nëse historia e tij mund të shpëtonte qoftë edhe një jetë, “do të ishte magjike”.






