
TIRANË – Tensione u shënuan gjatë protestës së opozitës, ku disa protestues hodhën shishe molotovi në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
View this post on Instagram
Në përmbyllje të fjalës së tij para mbështetësve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, falënderoi protestuesit për mobilizimin, ndërsa deklaroi se reagimi i tyre kishte parandaluar atë që ai e quajti “grushti i parë i shtetit”.
“Revolta juaj në protestën e kaluar dha një sinjal të qartë se ne nuk do të tolerojmë kurrë grushtin e shtetit për të mbrojtur vjedhjet e Edi Ramës,” u shpreh Berisha.
Ai paralajmëroi gjithashtu për një tjetër përpjekje të mundshme nga qeveria.
“Ja ku jemi këtu, Edi Rama, edhe grushtin e dytë që po përgatit, do të dështojë,” tha lideri demokrat.
“Shkurti, muaji i çlirimit”
Berisha e cilësoi protestën si dëshmi të “opozitës së vërtetë”, duke shtuar se përballja politike nuk ka përfunduar.
“Fituam një betejë shumë të rëndësishme, por nuk kemi fituar ende luftën,” deklaroi ai, duke akuzuar kryeministrin se po i “shpall luftë drejtësisë” dhe se nuk do të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e tij, Berisha përdori tone të forta politike, duke e quajtur Ramën “armikun më të rrezikshëm për shqiptarët dhe Shqipërinë”.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria lidhur me deklaratat e kreut të opozitës apo incidentet e raportuara gjatë protestës.






