
Bad Bunny (Benito Antonio Martínez Ocasio) nuk këndon në spanjisht thjesht për stil – është një zgjedhje me peshë kulturore dhe politike. Në një industri që shpesh i ka shtyrë artistët latinë të përshtaten për tregun global, ai ka bërë të kundërtën: ka vendosur që muzika e tij të mbetet autentikisht portorikane.
Vendimi i artistit për të mos zhvilluar koncerte në territorin kontinental të SHBA-së gjatë turneut botëror 2025–2026, nga frika se fansat mund të rrezikoheshin nga politikat e emigracionit, e theksoi edhe më shumë këtë qëndrim. Megjithatë, pranimi për të performuar në Super Bowl e çon muzikën në spanjisht në një nga skenat më të mëdha televizive amerikane.
Analistët e shohin këtë si një lëvizje strategjike për të afirmuar praninë e rreth 65 milionë latinëve në SHBA, në një moment të ndjeshëm për komunitetin emigrant.
Performanca e tij ka marrë mbështetje masive nga fansat, por edhe kritika nga sektorë konservatorë, të cilët kanë kundërshtuar gjuhën dhe qëndrimet e tij ndaj politikave të emigracionit. Vetë këngëtari iu përgjigj kritikëve me ironi:
“Nëse nuk e kuptuat çfarë thashë, keni katër muaj kohë për të mësuar spanjisht.”
Puerto Rico – zemra e çdo kënge
Në tekstet e Bad Bunny-t, Puerto Rico nuk është vetëm sfond – është protagonisti. Ishulli përfaqësohet me historinë e tij të ndërlikuar politike, korrupsionin, pabarazitë sociale dhe marrëdhënien e tensionuar me Shtetet e Bashkuara.
Referencat lokale dhe zhargoni portorikan janë të pranishme kudo. Fjalë të përditshme apo metafora nga realiteti urban përdoren për të treguar histori dashurie, nostalgjie apo proteste.
Në një nga këngët e tij ai përmend edhe ndalimin historik të flamurit portorikan, duke rikujtuar periudha kur shfaqja e identitetit kombëtar mund të sillte përndjekje.
Muzika si protestë sociale
Këngët e tij trajtojnë tema si gentrifikimi, privatizimi i burimeve natyrore dhe largimi i të rinjve nga vendlindja. Shumë kritikë besojnë se këto mesazhe nuk i flasin vetëm Puerto Ricos, por reflektojnë realitetin e vendeve të tjera në Amerikën Latine.
Albumi i tij i fundit, që hyri në histori si albumi i parë plotësisht në spanjisht që fitoi Grammy për “Albumin e Vitit”, konsiderohet projekti më politik i karrierës së tij – edhe pse referencat sociale kanë qenë gjithmonë pjesë e muzikës së tij.
Mes largimit dhe përkatësisë
Një temë e përsëritur është dilema mes emigrimit dhe qëndrimit. Korrupsioni dhe mungesa e mundësive i kanë shtyrë shumë të rinj të largohen nga ishulli, por për Bad Bunny-n, qëndrimi dhe krenaria për rrënjët janë një formë rezistence.
Mesazhi i tij është i qartë: identiteti nuk negociohet, edhe kur suksesi është global.
Në fund, fenomeni Bad Bunny tregon se muzika moderne nuk është vetëm argëtim. Ajo mund të jetë deklaratë politike, mbrojtje kulture dhe një mënyrë për t’i dhënë zë një brezi të tërë.






