
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi se kërkesa e qytetarëve për të zënë sheshin po rritet dhe se kjo do të realizohet “në rastin më të parë të mundshëm”.
I pyetur nëse protesta kombëtare e 10 shkurtit do të jetë e pandërprerë, Berisha tha se numri i qytetarëve që kërkojnë përballje të drejtpërdrejtë me qeverinë po shtohet çdo ditë.
“Gjithnjë e më i madh është numri i qytetarëve që kërkojnë një gjë të tillë. Unë i siguroj ata se kërkesën e tyre e konsideroj shumë të drejtë dhe se ajo në rastin më të parë të mundshëm do të zbatohet,” u shpreh ai.
Sipas Berishës, qytetarët janë të vendosur të përballen me atë që e cilësoi një “shtet të degraduar”, ndërsa shtoi se vetëm fjala dhe reagimi i tyre kanë mbetur si mjet për ndryshim.
“Vetëm fjala e qytetarëve ka ngelë këtu dhe unë kam bindje se këtë betejë qytetarët do ta fitojnë,” deklaroi kreu i PD.
Ai përdori tone të forta ndaj qeverisë, duke theksuar se tashmë opozita ka një objektiv të qartë: “largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve.”
Deklaratat u bënë në prag të protestës së paralajmëruar kombëtare të 10 shkurtit.






