Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po organizon një antimiting në Vlorë përballë protestës kundër projektit në Zvërnec, duke e cilësuar këtë veprim si një “akt lufte” ndaj qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha kërkoi anulimin e aktivitetit të planifikuar nga Partia Socialiste, duke e konsideruar atë një përpjekje për përballje me protestuesit.

“Është akt lufte që mafia shtetërore u shpall qytetarëve. Hiqni dorë! Anullojeni!”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, administrata publike po mobilizohet për pjesëmarrje në aktivitetin e nesërm në Vlorë, ndërsa ai e krahasoi situatën me praktikat e regjimit komunist.

Berisha e cilësoi organizimin e një kundërtubimi si një praktikë “fashiste dhe staliniste”, duke paralajmëruar se opozita nuk do të pranojë, sipas tij, presion ndaj protestës qytetare.

Në një deklaratë të dytë për mediat, kreu i demokratëve akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim force ndaj protestuesve, duke iu referuar ndërhyrjes së policisë gjatë protestave në Tiranë.

“Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë topat e ujit që përdor kundër nënave me fëmijë”, u shpreh Berisha.

Përplasja politike vjen në prag të aktivitetit që Partia Socialiste ka paralajmëruar në Vlorë në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të saj, ndërsa opozita vijon protestat kundër projektit të investimit në Zvërnec.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu