
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu përgjigj në Kuvend kritikave të Sali Berishës lidhur me aktivitetet e Partisë Socialiste në Vlorë dhe debatin për investimin në Zvërnec.
Balla ironizoi kreun e Partisë Demokratike duke thënë se ai kërkon të marrë pjesë në festimet e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ndërsa kujtoi fitoret elektorale të socialistëve ndaj demokratëve.
“Ne ju kemi mundur 15 herë nga 20 beteja elektorale. Me Edi Ramën kryetar të PS-së ju kemi mundur 8 herë rresht në 8 përballjet e fundit. Do t’ju mundim përsëri pas një viti në zgjedhjet vendore dhe do t’ju mundim edhe në vitin 2029”, deklaroi Balla.
Ai hodhi poshtë pretendimet për organizimin e një antimitingu në Vlorë, duke theksuar se aktiviteti i Partisë Socialiste është pjesë e festimeve për 35-vjetorin e kësaj force politike.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit të Ballës iu kushtua projektit të investimit në Zvërnec. Sipas tij, ky është një investim historik që nuk duhet humbur dhe që do ta ndihmojë Shqipërinë të ngjitet mes destinacioneve më të zhvilluara turistike.
“Investimi në Zvërnec do të realizohet. Shqipëria nuk e ka as shansin dhe as luksin ta humbasë këtë investim. Është një investim historik që do ta vendosë vendin tonë në Ligën e Kampionëve të turizmit të zhvilluar”, u shpreh Balla.
Ai sfidoi opozitën të shprehet qartë nëse është pro apo kundër projektit, duke theksuar se Partia Socialiste e mbështet plotësisht investimin.
Replika e plote
Zoti Berisha shoh që insistoni me padurim që të merrni pjesë në festat e 35-vjetorit të PS-së. Ne kemi një kalendar të parashikuar të festave tona. Sigurisht që ju nuk mund të jeni ftuar në ditëlindjet e PS-së, as në Vlorë, as në Tiranë, asgjëkundi. Ne ju kemi mundur 15 herë nga 20 beteja elektorale. Medi Ramën, kryetar të PS-së, ju kemi mundur 8 herë rresht në 8 përballjet e fundit. Do ju mundim përsëri pas një viti në zgjedhjet vendore, do ju mundim dhe në 2029-ën. Prandaj, prandaj diversionin tënd se nesër në Vlorë, paskemi ne antimiting, ne kemi një festë ditëlindjeje dhe populli i Vlorës është kryeqyteti i PS-së. Dhe pa dyshim. Për Artur Shehun, ti pyete këtë se Artur Shehu e ka çuar në Vlorë këtë. E di fare mirë ky. Me makinën e Artur Shehut ka shkuar në Vlorë, po e di ti fare mirë. Pyete, pyete. Kështu që mos u nxehni, mos u nxehni. Merreni me qetësi, merreni me qetësi. Siç ju kemi mundur, do vazhdojmë t’ju mundim përsëri.
Dhe ndërkohë, bëni mirë që të vini mend se nuk po ju kupton askush. Zotëria del edhe thotë: “Mbështesim investimin”, gjë që tregon të paktën kulturë shtetërore. Dhe sa i përket investimit në Zvërnec, jo ju, edhe ju të tjerët atje në fund të sallës, ai investim do të realizohet se Shqipëria nuk e ka as shansin, as luksin e keq të humbasë këtë investim. Është një investim historik, i cili do ta vendosë Shqipërinë tonë të përbashkët aty ku na takon, në Ligën e Kampionëve të Vendeve me Turizëm të Zhvilluar. Ata që dalin kundër këtij investimi nuk i shërbejnë interesit të vendit. Pusho ti, se po flas me këtë unë, por nuk merrem me ty unë, po merrem me këtë tani, kur të vijë radha ty, kur të vijë koha, të merrem me ty, uuu, kam mbaruar punë. Tani, e fundit, prandaj tregoni me një qëndrim. Dilni, dilni këtu dhe thoni: “Jeni pro investimit apo kundër investimit?” Kaq. E gjithë, gjithë, gjithë diskutimi bëhet për këtë. Ne jemi pro investimit sepse mbështesim investimin.






