
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e dytë të festivalit ndërkombëtar “Bread & Heart”, që zhvillohet në Tiranë dhe mbledh arkitektë të njohur nga Europa, Azia, Amerika e Veriut dhe Amerika Latine.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi praninë e emrave të njohur të arkitekturës botërore në Shqipëri, duke theksuar rolin e tyre në transformimin urban dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Ju e dini vlerësimin e madh që kam për arkitektët. Nuk do të jetonim në një qytet nëse nuk do të kishte arkitektë. Arkitektura shkon përtej pranisë fizike dhe ndikon në mënyrën se si jetojmë dhe ndërtojmë të ardhmen”, u shpreh kryeministri.
Duke u ndalur te debatet për zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit, Rama theksoi se këto dy koncepte nuk duhet të shihen si të kundërta.
“Ruajtja e natyrës duhet të ketë të bëjë edhe me zhvillimin në harmoni me natyrën. Jo për ta vendosur natyrën në shërbim të njerëzve, por edhe të kundërtën”, deklaroi ai.
Kryeministri tha se Shqipëria po përpiqet të ndërtojë një model zhvillimi që kombinon imagjinatën arkitekturore me respektin për mjedisin dhe komunitetet.
Rama rezervoi vlerësime të veçanta për arkitektin e njohur spanjoll Santiago Calatrava, pjesëmarrës në festival, duke e cilësuar praninë e tij në Tiranë si një nder të madh.
Në fund të fjalës, ai tregoi edhe një episod nga komunikimi me një lider të huaj, të apasionuar pas arkitekturës, i cili pasi kishte parë fotografitë e festivalit dhe projektet e realizuara në Shqipëri, e kishte pyetur me humor se si arrinte t’i realizonte të gjitha këto projekte “pa para”.
Festivali “Bread & Heart” synon të krijojë një platformë ndërkombëtare diskutimi mbi arkitekturën, zhvillimin urban dhe sfidat e së ardhmes për qytetet dhe komunitetet.






