Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë të pandehur ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Igli Tare, në kuadër të hetimeve të njohura si dosja “Balluku”.

Sipas informacioneve të publikuara, Tares i është komunikuar akuza e “pastrimit të produkteve të veprës penale”, në kuadër të hetimit pasuror që SPAK po zhvillon ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Më herët, në lidhje me të njëjtin hetim, ishte thirrur për të dëshmuar edhe vëllai i tij, Agron Tare, ndërsa prokurorët e posaçëm kishin kërkuar gjithashtu sqarime edhe nga ish-futbollisti i Kombëtares.

Sipas raportimeve, hetimet lidhen me përfitimin e lejeve për ndërtim dhe investime në sektorin e energjisë. Pretendohet se Igli Tare ka përfituar leje për ndërtimin e një pallati dhe të një parku fotovoltaik gjatë periudhës kur Belinda Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës.

Gjithashtu, referuar një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cituar në një investigim mediatik, rezulton se një sipërfaqe prej 3.3 hektarësh tokë në Sheq Marinas të Fierit, e dhënë në përdorim për Igli Taren nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, është dhënë në kundërshtim me ligjin.

SPAK nuk ka bërë ende publike detaje të tjera mbi akuzën dhe provat që mbështesin marrjen si të pandehur të ish-futbollistit, ndërsa hetimet vijojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu