Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është shndërruar në një pikë referimi ndërkombëtare në fushën e arkitekturës bashkëkohore, teksa prezantoi projektet e reja që pritet të zbatohen në vend, gjatë pjesëmarrjes së tij në Konkursin Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore”.

Në fjalën e tij, Rama falënderoi arkitektët pjesëmarrës dhe jurinë ndërkombëtare, duke theksuar se një pjesë e projekteve janë tashmë në fazë të avancuar dhe gati për të marrë lejen e zhvillimit.

Sipas kryeministrit, falë këtij procesi Shqipëria do të ketë pas vitesh një stadium të ri të standardeve europiane, Bibliotekën e re Kombëtare, një kompleks të ri zyrash për administratën publike, si dhe pallatin e ri të sportit, i cili ka marrë mbështetjen konsensuale të jurisë ndërkombëtare.

Rama u ndal edhe te projekti për Shtëpinë e Re të Fëmijëve dhe korpusin e inspektorateve, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm për krijimin e kushteve dinjitoze për fëmijët jetimë dhe për modernizimin e institucioneve shtetërore.

Një vëmendje të veçantë kryeministri i kushtoi bashkëpunimit mes studiove vendase dhe atyre ndërkombëtare, duke e cilësuar Shqipërinë si një “universitet të hapur” për arkitektët e rinj shqiptarë.

“Shqipëria sot është një vend ku janë përqendruar arkitektë me emër në botë, por njëkohësisht është edhe një hapësirë ku arkitektët e rinj shqiptarë fitojnë dije dhe eksperiencë që nuk ta jep asnjë universitet”, u shpreh Rama.

Në përfundim, ai theksoi se në këto konkurse nuk ka të humbur, pasi çdo pjesëmarrje krijon lidhje afatgjata dhe hap rrugë për angazhime të reja në projektet e ardhshme të vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu