
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka diskutuar për forma të ndryshme protestash, të cilat do të shqyrtohen dhe do të vendosen në kohën e duhur.
I pyetur mbi natyrën e protestave, Berisha u shpreh se opozita do të përdorë të gjitha format e protestës demokratike.
“Mesazhi ynë për narkoshtetin është i qartë: ik një minutë e më parë. Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm dhe i papërmbajtur. Ne jemi të vendosur të shkojmë deri në fund për largimin e kësaj organizate kriminale. Siç u pa edhe nga intervista e fundit e Arben Ahmetajt, vetëm në pesë dosje janë nxjerrë rreth 12 miliardë euro të amnistuara, të vjedhura nga qeveritarët, nga Edi Rama dhe anturazhi i tij, dhe të amnistuara nga SPAK-u i partisë”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse protesta e 24 janarit mund t’i ngjajë ngjarjeve të 21 janarit, Berisha theksoi se ato janë vepër e Edi Ramës.
“21 janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Rama. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. Këtë e kam deklaruar më 12 dhjetor 1990 dhe kam qenë gjithmonë konsekuent në këtë linjë. Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit, është i pashpresë dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të”, u shpreh ai.
.






