
MELBOURNE, AUSTRALI – Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë nga shqiptarë që jetojnë në Melbourne tregojnë një situatë të pazakontë atmosferike, e shoqëruar me erë të nxehtë përvëluese, ndryshim të menjëhershëm të motit dhe rënie të fortë të temperaturave brenda pak minutash.
Sipas dëshmisë së dërguar nga Mariana, e cila ka jetuar prej vitesh në Australi, era frynte në drejtime të ndryshme dhe ajri mbante erë zjarri, duke krijuar ndjesi mbytëse dhe shqetësuese.

“Ka qenë një erë e nxehtë që të digjte dhe frynte në drejtime të ndryshme. I gjithë ajri mbante erë zjarri. Pastaj ra një shi i frikshëm për rreth 5 minuta dhe gjithçka pushoi,” – shkruan ajo.
Fenomeni u shoqërua edhe me një rënie ekstreme të temperaturës, nga 44 gradë Celsius në vetëm 22 gradë, në një kohë shumë të shkurtër.
“Nga 44 gradë shkoi 22. Nga këto ndryshime, këtu sëmuresh shumë shpejt,” – shton Mariana, duke përshkruar kontrastin e fortë klimatik që përjetojnë banorët.

Pamjet janë realizuar në Melbourne dhe i përkasin një situate tipike për verën australiane, ku valët e të nxehtit ekstrem, erërat që bartin tym zjarresh dhe stuhitë e shkurtra, por intensive, janë gjithnjë e më të shpeshta.





