Florjan Binaj,ka takuar sot aktivistin Adriatik Lapaj, i cili prej disa ditësh po proteston para Kryeministrisë pas skandaleve të fundit që kanë përfshirë qeverinë. Gjatë takimit, Binaj e përgëzoi Lapajn për qëndrimin e tij dhe i garantoi mbështetje të plotë.

Binaj deklaroi se do të marrë pjesë në të gjitha protestat e paralajmëruara ditët në vijim, përfshirë protestën e thirrur nga Partia Mundësia nesër para Këshillit të Mandateve, tubimin e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” të shtunën, si dhe protestën e opozitës të thirrur nga Partia Demokratike më 22 dhjetor.

Sipas tij, bashkimi i të gjitha grupeve shoqërore që kanë dalë në protestë do ta forconte ndjeshëm reagimin qytetar dhe do ta detyronte qeverinë të tërhiqej. “Protestat kundër qeverisë janë detyrë bazë e çdo qytetari që nuk pranon të nëpërkëmbet, të vidhet dhe të nënçmohet. Kur qytetarët heshtin, qeveria trimërohet dhe abuzon me pushtetin. Kur qytetarët ngrenë zërin dhe protestojnë së bashku, qeveritë struken dhe tërhiqen,” u shpreh Binaj.

Ai theksoi se sot është momenti që qytetarët, pa dallime partiake, të bashkohen për t’i vënë fre asaj që e cilësoi si një rrugë të mbrapshtë ku është futur vendi. Binaj vlerësoi faktin që njerëzit po protestojnë, por nënvizoi se fragmentarizimi i protestave dobëson mesazhin qytetar.

“Sot jam këtu në protestën e Adriatik Lapajt dhe mbështetësve të tij. Nesër do t’i bashkohem protestës së Partisë Mundësia, të shtunën protestës së lëvizjes Shqipëria Bëhet dhe të hënën protestës së organizuar nga Partia Demokratike. Shpresoj që shumë shpejt të bëhemi të gjithë bashkë, pa dallime politike, thjesht si qytetarë,” deklaroi Binaj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu