Është zbardhur shkresa zyrtare që Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkohet heqja e imunitetit dhe autorizimi për arrestimin e deputetes dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Dokumenti mban firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili e përfundon mandatin e tij më 19 dhjetor 2025. Kërkesa vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë të premten e kaluar.

Çfarë kërkon SPAK?

Në shkresën zyrtare, SPAK i kërkon Kuvendit autorizimin për të zëvendësuar masat aktuale të sigurisë ndaj Ballukut — “Ndalimin e daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimin nga detyra” — me masa më të rënda: arrest në burg ose arrest në shtëpi, të parashikuara nga nenet 238 dhe 237 të Kodit të Procedurës Penale.

Kërkesa lidhet me procedimin penal nr. 136 të vitit 2025, që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pjesë nga shkresa zyrtare

Në dokument thuhet se:

“Nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e ‘Ndalimit të daljes jashtë shtetit’ […] dhe ‘Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’, në atë të arrest në burg/në shtëpi, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025…”

Më tej, SPAK njofton Kuvendin se bashkëngjitur shkresës ndodhet relacioni i arsyetuar, provat përkatëse dhe urdhri për ruajtjen e sekretit hetimor, të datës 16 dhjetor 2025.

“Duke ju falenderuar për bashkëpunimin”, përmbyllet dokumenti.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu