Kryeministria ka depozituar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur antikushtetues vendimin e GJKKO-së, që pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ky hap vjen vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do t’i drejtohej Kushtetueses, duke e cilësuar vendimin e gjykatës si “arbitrar” dhe “ndërhyrje në pavarësinë e ekzekutivit”.

Në dokumentin e paraqitur sot, Kryeministria argumenton se GJKKO ka tejkaluar kompetencat, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve dhe duke marrë, sipas tyre, rolin që Kushtetuta ia njeh vetëm kryeministrit, presidentit dhe parlamentit.

Gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, Rama deklaroi prerazi se:
“Pezullimi është një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet se cili është interpretimi bazuar në Kushtetutë.”

Ai shtoi se, për shkak të këtij vendimi, aktualisht qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendëskryeministër dhe as një ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë në funksion, derisa çështja të marrë një vendim të formës së prerë.

Ndërkohë, Belinda Balluku mbetet e pandehur nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, lidhur me procedurat e tunelit të Llogarasë. Ajo, së bashku me dy zyrtarët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, pritet të dalë të shtunën para GJKKO-së, ku do t’u komunikohen masat e sigurisë. Gjyli dhe Elezi aktualisht ndodhen në arrest shtëpie.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu