
Ish-kryeministri Sali Berisha doli sot nga SPAK ku dha dëshmi për ngjarjet e 21 janarit 2011, duke lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë së sotme, Partisë Socialiste dhe kreut të SPAK, Altin Dumani. Berisha deklaroi se thirrja ndaj tij ishte “procedurë normale”, por e përdorur politikisht për të devijuar vëmendjen nga skandalet e qeverisë.
“Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar”
Berisha hodhi poshtë çdo pretendim se nga ana e tij ose e qeverisë së asaj kohe është dhënë ndonjë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve:
“Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër.”
Ai rrëfeu se Lulzim Basha dhe drejtues të Gardës i kishin kërkuar të evakuohej, pasi “xhamat e zyrës ishin thyer nga plumbat apo gurët”, por ai e refuzoi me argumentin se ishte në detyrë:
“Unë isha në detyrë. Kjo është zyra ime. Kryeministri nuk lëviz sipas qejfit. Kam qëndruar aty deri në fund.”
Berisha shtoi se ka pasur ndërmjetësim ndërkombëtar dhe se çdo oficer i kërkuar nga prokuroria e atëhershme është paraqitur, por në gjendje të lirë:
“Ina Rama dhe Edi Rama kërkonin të eliminonin zinxhirin e komandës. Të gjitha të tjerat janë mashtrime.”
“PS kishte axhendë dhune – kjo është deklaruar dhe nga SHBA”
Berisha tha se vetë autoritetet ndërkombëtare dhe qeveria e SHBA kanë deklaruar se protesta e 21 janarit ishte organizuar me axhendë dhune nga Partia Socialiste:
“PS kishte axhendë dhune. Këtë e kanë thënë dhe e kanë ri-thënë ndërkombëtarët. Kjo është e vërteta.”
Sipas tij, pikërisht kjo ishte arsyeja pse ai nuk ishte thirrur më parë për dëshmi:
“Mosthirrja flet më shumë se çdo gjë tjetër. Edi Rama organizoi protestën më të dhunshme në historinë e vendit.”
Akuza për Altin Dumanin
Berisha sulmoi ashpër kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke e akuzuar se ka lidhje të papërcaktuara me persona të implikuar në çështje të tjera:
“E gjeta Dumanin duke pirë kafe me atë që i mori 5 milionë euro, Kreshnik Farrukun.”
Ai tha se institucionet e drejtësisë janë kthyer në “instrument propagande të qeverisë”.
“SPAK përdori thirrjen time për propagandë”
Berisha denoncoi publikimin e njoftimit për thirrjen e tij, duke thënë se mediat e morën vesh përpara se të njoftohej vetë ai:
“Procedurë diskrete u kthye në akt propagande. Ia shpërndanë mediave para se të më njoftonin mua.”
Sipas tij, kjo u bë për të mbuluar debatet për “50 milionë eurot e Llogarasë” dhe çështje të tjera që ai i cilësoi si skandale të qeverisë.




