
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e akuzoi opozitën se po abuzon me kërkesat për mocion me debat vetëm për të kapur “dhjetëminutëshin” e fjalës. Ai theksoi se ndërkohë që opozita kërkon procedura, qeveria po paraqet buxhetin më të madh në historinë e vendit, me rritjen më të madhe të pensioneve ndonjëherë dhe investime të paprecedenta në politikat sociale. Balla theksoi se rregullat janë të barabarta për të gjithë dhe se debati real duhet të zhvillohet tek buxheti, aty ku, sipas tij, “pensionistët presin rritjen, jo retorikën politike”.
Fjala e Taulant Ballës në seancë:
Të gënjesh pa t’u dridhur buza dhe qerpiku është kurajo e madhe, edhe pse duhet t’i sqarojmë publikut që diskutimi në këtë moment nuk është diskutimi për thelbin, por është diskutimi për procedurë.
Në konferencën e kryetarëve ua kemi thënë shumë qartë se kërkesa juaj e merr përgjigjen menjëherë pas kësaj pike të rendit të ditës, kur qeveria shqiptare i paraqet popullit shqiptar buxhetin më të madh në historinë e vendit, 8,9 miliardë euro, nga të cilat 1,7 miliardë euro janë vetëm për politikat sociale.
E dëgjova me vëmendje dhe ata që na ndjekin e kuptojnë qartë që kjo është një strategji, një garë mes jush se kush mbledh ca firma për të ardhur për të kërkuar një mocion me debat për të shfrytëzuar këtë dhjetë minutëshin këtu.
Se nuk gjej dot asnjë shpjegim tjetë se si përmes kësaj gare keni kërkuar mocione me debat më shumë seç keni kërkuar në 4 vite, 2021- 2005 a thua nuk keni qenë po të njëjtët ju?
Dhe dëgjova këtu dhe sapo u tha që: po na mohohet e drejta jonë për të bërë debat.
Po kemi bërë, kemi bërë 40 orë debat, 40 orë debat në 2 muaj, 40 orë, nga të cilat 23 orë debati i keni harxhuar ju, 17 i kemi marrë ne bashkë me qeverinë.
Dhe kjo është vetëm pak nga gjithë kjo histori marrëdhënieje me ju.
Citiat disa kërkesa tjera.
Po ua them përsëri, por ua kam thënë dje në konferencë kryetarëve.
Po e them edhe sot.
Nga ana jonë keni dakordësinë e plotë të miratojmë çdo kërkesë që vjen nëse ajo kërkesë është në përputhje me kushtetutën, në përputhje me rregullore dhe për ta kuptuar se ka ndër ju që nuk kuptojnë shqip.
Është shumë e rëndësishme të pranoni që rregullat këtu janë njëlloj për të gjithë dhe nëse ju do vazhdoni me këtë historinë që përdorni kërkesën mocion me debat për të kapur këtë dhjetë minutëshin, kjo është çështja juaj, por ne nuk kemi asnjë moment kohë për të humbur me ju.
Gënjeu kolegia që sapo foli këtu dhe tha fjalë për fjalë në thonjëza “refuzon të ngrejë pensione, qveri tha që refuzon të ngrejë pensionet” Por ne sot jemi këtu pikërisht për të miratuar ngritjen më të madhe të pensioneve në historinë e këtij vendi.
Si mund të vish këtu edhe thuash qeveria refuzon të ngrejë pensionet. Me këtë reformë të re pensionesh ne garantojmë 1 rritje progresive nga 2026–2030 dhe në 2030 do jemi po ne këtu që do ngremë përsëri deri në 400.000 lekë për pensionin urban dhe një pension që nuk ishte fare kur ishit ju atëherë, as nuk kishte fare, s’kishte pension rural, ne e çojmë në 18.000 lekë pension.
Dëgjo zonjë.
Vitin e ardhshëm, përveç bonusit se gënjeve, prapë përveç bonusit, pensionistëve po i referohem, po i referohem një pensioniste që është nëna ime.
Ka punuar 42 vjet infermiere dhe ia shpjegova.
Ia shpjegova se më pyeti, më tha: “O bir, sa më është rritur dhe sa më rritet mua pensioni?”
Në vitin 2026 i rritet 18.000 lekë në çdo muaj, herë 12 muaj, 216.000 lekë.
Në vitin e dytë i rritet 36 mijë lekë herë 12, i shkon 432.000 lekë rritja. Në vitin e tretë i shkon 648.000 lekë rritja dhe në vitin e katërt, në vitin e anëtarësimit në Bashkimit Europian i shkon 12 herë 72, i bie 864.000 lekë, të gjitha së bashku shkojnë 2.160.000 lekë rritje. Se ju me matematikën ju ka lënë ai mbrapsht, se ju 7×7 vazhdoni, po janë 2.160.000 lekë.
Kjo është rritja e bërë për një pensioniste e cila ka punuar 42 vjet dhe sigurisht, sigurisht dhe unë e di që pensionisti i vetëm ndër ju nuk ka hall rritjen e pensioneve se ka pagën e lartë. Ne flasim për këta 670.000 të tjerët, por ata flasim ne, ju keni hallin, ju keni hallin e pensionistit tuaj.
Unë i dua shumë pensionistët, iu referova nënës sime të dashur dhe iu referova 670.000 pensionistëve.
Tani pa humbur kohë, se nuk po shkojnë shumë shifra të tjera, pa humbur kohë.
Ju lutem shumë ta votojmë kërkesën tuaj për t’ju bashkuar debatit të buxhetit.
Këtë ju kam thënë në konferencë kryetarëve.
Ky debat minimumi jetik është pjesë e diskutimit të buxhetit.
Strategjia juaj për të marrë Jorida 10 minuta për t’i bërë qejfin le të funksionojë kështu. Vazhdoni, bini prapë mocionin me debat.
Flisni 10 minuta.
Ndërkohë serioziteti i forcës suaj politike vazhdon të konsolidohet sikurse u konsolidua ditën e hënë me 300 petrita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shumë faleminderit. I ftoj kolegët, i ftoj kolegët nëse reflektojnë debati për këtë çështje të bëhet përgjatë buxhetit.
Nëse nuk reflektoni, votën tonë e keni gati kundër këtu dhe të vazhdojmë buxhetin.
Pensionistët presin pensionet.
Faleminderit.




