Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me tone të forta ndaj komenteve të Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, e cila përmendi “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksapaguesit pas refuzimit të kërkesave për azil, si argument për rifillimin e dëbimeve familjare.

Përmes një postimi në platformën X, Rama shprehet se është “zhgënjyese” që një përfaqësuese laburiste e qeverisë britanike përsërit retorikën e së djathtës populiste, duke veçuar shqiptarët në një moment kur të dy vendet kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Europë për frenimin e migracionit të paligjshëm.

Si mund një Sekretare e Brendshme e Partisë Laburiste të pasqyrojë kaq keq narrativën e së djathtës ekstreme – dhe të vërë në fokus 700 familje shqiptare, një pikë statistike në oqeanin e sfidave të Britanisë pas Brexit-it?” – shkruan Rama.

Ai thekson se falë bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe që prej fundvitit 2022, mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Britani “janë thuajse zhdukur” dhe se kontrolli i migracionit ka funksionuar. Megjithatë, sipas tij, kufizimet e lëvizjes dhe vizave të vendosura nga Londra “mbeten një relike e dështimeve të epokës Braverman”, duke dëmtuar ekonominë britanike dhe lirinë e lëvizjes.

Rama thekson gjithashtu se shqiptarët janë kontribuues neto në ekonominë britanike, ndërsa numri i atyre që përfitojnë ndihma sociale është “shumë i ulët” krahasuar me komunitete të tjera. “T’i veçosh vazhdimisht nuk është politikë – është një ushtrim shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie”, shkruan ai.

Kryeministri nënvizon se Shqipëria mbetet dhe do të mbetet “një aleate aktive” e Mbretërisë së Bashkuar në kontrollin e migracionit në Ballkan, ndërsa Londra duhet të kërkojë “thellimin e bashkëpunimit në të gjitha çështjet e sigurisë – nga mbrojtja te kufijtë – dhe jo të krijojë vazhdimisht një kurban politik.”

Në fund, Rama i kujton qeverisë britanike se politikat zyrtare nuk duhet të udhëhiqen kurrë nga stereotipet etnike, duke e cilësuar këtë si minimumin që “humaniteti pret nga një vend i madh si Britania e Madhe”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu